[vc_row][vc_column][vc_column_text]Butrinti, ose me emrin e lashtë Buthrotum, shtrihet në jugperëndim të Shqipërisë, 20 km në jug të portit modern të Sarandës. Pozicioni i tij është spektakolar: Qyteti i lashtë okupon pjesën kryesore të kodrës që lagej nga kanali Vivari, një rrugë e ngushtë ujore që sot lidh Korfuzin, 4 km në perëndim të Butrintit, me liqenin e brendshëm me ujë të kripur. Rrëzë një pllaje në jug të kanalit shtrihet një tokë djerrë e tharë nga ujërat që ndan Butrintin nga një sërë malesh, të cilat shtrihen përgjatë kufirit jugor shqiptaro-grek.

Riviera është pa dyshim një nga zonat më të bukura dhe më të paprekura të të gjithë Shqipërisë. Brigjet e Adriatikut dhe Jonit kanë një bukuri shokuese. Palmat dhe pemët me ullinj dominojnë peisazhin duke i dhuruar një bukuri karakteristike mesdhetare. Panorama e detit, varieteti i florës, i favorizuar nga klima e butë, e bën Sarandën një qendër të preferuar për pushime dhe rikrijim dhe një qytet të rëndësishëm turistik. Turistët nga Korfuzi zbarkojnë këtu me tragete. Ka një linjë të përditshme autobuzash nga Saranda në Butrinit. Në vitin 2000 Butrinti priti mëse 30 mijë vizitorë të huaj. Qyteti antik, është padyshim një nga bukuritë më me vlerë të rivierës shqiptare dhe një nga destinacionet më të rrahura, jo vetëm nga turistë të huaj, por edhe nga vetë shqiptarët. Historia, gërshetohet këtu me artin antik dhe rrethohet nga një bukuri e mahnitshme mesdhetare, duke zënë një vend të rëndësishëm në kujtimet e atyre që e kanë shijuar nga afër dhe në ëndrrat e atyre që kanë dëgjuar të flitet për të.

Si u krijua dhe si mbijetoi Butrinti në shekuj?
Butrinti mendohet t’i ketë fillimet e tij në shekullin e 8 para Krishtit, me vendosjen aty të tregtarëve të Korfuzit. Ky është qyteti që lidhet më shumë me legjendën e Eneas. Në shekullin e 4-ët, Butrinti ishte një port kaoanian , ndoshta në qendër të një prej fiseve helenase të Epirit. Romakët e përdorën portin si një bazë për fushatën e tyre ushtarake në Ballkan në shekullin e 2-të. Në shekullin që pasoi, ai u bë koloni e ushtarëve të vjetër të Jul Çezarit. Më vonë përsëri në sundimin romak, qyteti kishte kishën e tij dhe kjo në një vend të dukshëm.
Por në vitin 551 u sulmua nga barbarët. Historia që pasoi deri në shekullin e 10-të, ashtu si ndodhi me shumë porte mesdhetare, mbetet mister. Më vonë u bë një port i rëndësishëm për lidhjen e Venecias me Bizantin. Për shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit të Korfuzit. Vetëm në shekullin e 18-të ata e braktisën Butrintin, pasi humbën me turqit. Në vitet 1850, kur Edward Lear kaloi në këtë rrugë, ajo ishte e shkretë.

Butrinti, ekspozitë e hapur e vlerave historiko-kulturore
Qyteti i Butrintit është i madh dhe kompleks, me rrënoja nga periudha të ndryshme. Për ata që nuk janë arkeologë apo studentë specialistë, mënyra më e lehtë në vizitën e tyre të parë është të vërtiten brenda perimetrit. Të shëtisin përreth mureve dhe të shohin me sytë e tyre se si u zhvillua qyteti dhe kështjella si një ishull i fortifikuar dhe pastaj të procedojnë drejt qendrës për të parë finesën e ndërtimeve antike.
Në zonë mund të hyhet nëpërmjet një porte, ku aplikohet një tarifë shumë e vogël. Duke marrë në të djathtë dhe duke ndjekur rrugicat e ngushta mbërrin në rrënojat që i përkasin banjos romane dhe një kulle veneciane dhe pastaj një seksion tjetër muresh që datojnë në shekullin e IV, viti i Krishtit. Pas pothuaj 400 metrave të tjerë, të shfaqen rrënojat e një qendre të krishterë kulti dhe pastaj një pishinë në formën e kryqit që mund të ketë qenë pjesë e kishës mesjetare.
Në të djathtë të hyrjes sheh një pamje shumë të këndshme të zgjerimit të kanalit që më pas të çon tek liqeni. Më pas vazhdon një seksion tjetër, tepër i gjatë i mureve të jashtëm, edhe këto i përkasin antikitetit të mëvonshëm, ndërsa një shëtitje në pyllin e dendur në veri të ishullit është me të vërtetë tepër e këndshme. Në të majtë, ndërsa afrohet fundi i kësaj rrugice, shihen muret e një bazilike mesjetare afër pikës ku bashkohen muret lidhëse të fortifikime të jashtme.

Trashëgimia arkeologjike
Nga rrugicat, duke ecur nga kahu perëndimor, gjenden rrënojat e një shtëpie të madhe romake që daton në shekullin e 2-të viti i Krishtit. Qendra e tij ishte e hapur e shtruar me gurë, me 12 shtylla të gurta që ngriheshin mbi një bazament. Aty pranë ndodhet edhe një teatër roman, i cili ngrihet në pjesën shkëmbore të akropolit. 22 rreshtat me ndenjëse kanë akomoduar 2000 njerëz. Shkallët e larta detyruan ndërtuesit të mbështetnin anët e ndenjëseve me mure transverse, edhe këto të mbështetura me mure të ndërmjetme, duke i dhënë teatrit një formë kuadratike të pazakontë për atë periudhë. Hyrja në ndërtesë bëhej nga një korridor në secilën anë. Në fillim të shekullit të 2-të u rindërtuan podiumi i orkestrës dhe i skenës. Një numër statujash u gjend në Butrint gjatë gërmimeve.
Disa nga statujat janë dy portrete kafshësh, një kokë e Agripës, gjeneralit të Augusto-s, dhe më e rëndësishme nga të gjitha është statuja klasike e quajtur Perënditë e Butrinit, e cila sot ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar. Mbi teatër ishte një tempull i shekullit të 2-të i cili ishte i ndërtuar në mënyrë simultane me teatrin dhe është integruar në themelet e tij. Brenda në themele qëndronte një altar dhe dyshemeja ishte e mbuluar me mozaik bardh e zi me forma gjeometrike.
Në anën e kundërt me kanalin, në kepin përmbi det, gjendet fortesa e vogël e ngritur nga Ali Pasha në vitin 1807, për të mbrojtur anijet nga flota franceze. Në kohët romake mendohet të ketë qenë një urë e vogël që lidhte këtë kep me pjesën tjetër të tokës.
Plazhet e virgjëra janë fare afër
Kështu, pas një udhëtimi të gjatë nëpër gojëdhëna e legjenda, në përfytyrime të paraardhësve që jetonin, argëtoheshin dhe preheshin në këto bukuri, ndokush mund të kërkojë pak shlodhje midis pemëve aty afër, ose në rërën e nxehtë pak metra më tutje. Hotele dhe lokale të ndryshme, ngritur vitet e fundit, ofrojnë mundësi të shumta për pushime dhe i bëjnë ditët në këtë vend ende të pa eksploruar, të këndshme dhe të paharruara. Kuzhina italiane ndërthurret me atë tradicionale shqiptare, duke ofruar më të mirën e detit dhe kësaj toke të bekuar.[/vc_column_text][/vc_column][/vc_row]